Projekti: Ballafaqimi me të kaluarën

1. Takimi me përfaqësuesit e komuniteteve RAE në Prishtinë

Më 9 nëntor 2010

Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim (QHDP) nga Kosova ka mbajtur takimin e parë me udhëheqësit e komuniteteve RAE me qellim të ballafaqimit me zhvillimet në të kaluarën, ku u debatua për të drejtën për të ditur dhe për të drejtën në drejtësi. Në lidhje me këtë u diskutua edhe për iniciativën e KOMRA-s (për krijimin e Komisionit Rajonal për gjetjen e fakteve në lidhje  me krimet e luftës dhe shkeljet tjera të të drejtave të njeriut në luftërat e zhvilluara në territorin e ish-Jugosllavisë ndërmjet 1991-2001) me ç’rast pjesëmarrësit u informuan për procesin e konsultimeve në Kosovë dhe në rajon si dhe u diskutua për projekt-statutin e KOMRA-s.

Në takim morën pjesë gjashtë përfaqësues të komuniteteve RAE. Ata ishin të nacionalitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian nga Prizreni, Prishtina dhe vendet tjera në Kosovë.

B. S. pohoi që  trazirat e dhunshme që shpërthyen më 17 mars 2004 bënë që disa familje rome të dëbohen nga Vushtrria, prandaj propozoi që Komisioni Rajonal do të duhej të merrej edhe me rezultatet e trazirave të tilla dhe që mandati i KOMRA-s do të duhej të përfshinte periudhën nga viti 1991 deri në 2004. Sipas tij, afërsisht 300 familje që jetonin në Vushtrri para viti 1999 janë larguar dhe tani kanë mbet vetëm 15 familje. H. Q. insistoi që: “Pa gjetjen e trupave të personave të zhdukur as kërkimfalja simbolike e autoriteteve shtetërore nuk do të mjafton”. Z. M. (ish deputet) nga Prizreni e mbështeti idenë që të gjitha komunitetet të ballafaqohen me keqbërjet e tyre në të kaluarën në Kosovë dhe përsëriti vështirësitë e popullatës rome në mbijetesë, qasjen në arsim, siguri dhe lirinë e lëvizjes.

Sa i përket iniciativës për KOMRA-n Z. M. (ish deputet) ishte pozitiv dhe i bindur që Qeveria e Kosovës do ta pranojë idenë e themelimit të Komisionit të së vërtetës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Më tej, A. M. përmendi dy problemet kyçe me të cilat komunitetet RAE ballafaqohen në Kosovë: 1) Manipulimi i komuniteteve RAE nga komuniteti shqiptarë dhe më herët nga ai serb, 2) Diskriminimin në bazë të lëkurës (p. sh. për romët është vështirë të pajisën me dokumente në nivel komunal sepse nuk trajtohen në mënyrë të barabartë për shkak të ngjyrës së lëkurës).

Në fund, tre nga gjashtë pjesëmarrësit që ishin prezent në takim nënshkruan deklaratën e anëtarësimit në Koalicionin për KOMRA-n dhe shprehën gatishmërinë që të marrin pjesë në takimet e ngjashme dhe konsultimet, pa marrë parasysh nëse ato janë në nivel nacional a rajonal.


2. Takimi më gratë viktima të luftës, nga Skenderaj

16 nëntor 2010

QHDP-ja organizoj takimin e dytë me gratë viktima të luftës më 16 nëntor 2010 në Skenderaj, Kosovë.

Gratë u informuan në lidhje me Iniciativën për KOMRA-n (për krijimin e Komisionit Rajonal për gjetjen e fakteve në lidhje me krimet e luftës dhe shkeljet tjera të të drejtave të njeriut në luftërat e zhvilluara në territorin e ish-Jugosllavisë ndërmjet 1991-2001) dhe procesin e ballafaqimit me të kaluarën në Kosovë dhe në rajon. Në takim morën pjesë gjashtëmbëdhjetë gra.

Nora Ahmetaj, drejtoresha e QHDP-së dhe Rona Nishliu (koordinatorja nacionale për procesin konsultativ për KOMRA-n në Kosovë) njoftuan në detaje pjesëmarrëset për rëndësinë e themelimit të KOMRA-s, arsyet për këtë iniciativë, zhvillimin e procesit konsultativ deri më tani, eksperiencat e vendeve me histori të ngjashme dhe në çfarë mënyre do të vazhdojnë aktivitetet pas përfundimit të procesit të konsultimeve.

Një nga temat kyçe që u diskutuan gjatë këtij takimi ishin nevojat dhe kërkesat e familjeve të të zhdukurve, të cilët fatkeqësisht jetojnë pa kurrfarë shpresë për një status më të mirë në shoqëri. Një nënë e dy jetimëve nga Skenderaj e mbështeti Iniciativën për KOMRA-n dhe u shpreh se kjo është një pikë shpresë në oqeanin e dëshpërimit ku ajo ndjehet e lënë mënjanë nga shoqëria dhe institucionet e Kosovës. “Na u është zhveshë dinjiteti, tanimë ne nuk ndjehemi si pjesë e shoqërisë kosovare. Çka është bërë për tu gjetur të zhdukurit? Si është e mundur që 12 vjet pas luftës ende nuk ka informata për fatin e tyre?”, shprehet ajo.

S. V. prindi i vetëm, nënë e dy fëmijëve nga Skenderaj thotë që institucionet i njohën familjet e atyre që u vranë, por bëjnë shumë favorizime në ndarjen e mjeteve dhe pensioneve për familjet e martirëve. Sipas saj nuk ka shpërndarje të barabartë të reparacioneve për familjet e viktimave. Ajo vazhdon: “Shpresoj që KOMRA, nëse pranohet, do ti marrë parasysh kërkesat tona dhe do të na mbështesë pa marrë parasysh shumë akuza në lidhje me implementimin”.

Në fund të takimit të gjashtëmbëdhjetë pjesëmarrëset nënshkruan deklaratën e anëtarësimit në Koalicionin për KOMRA-n dhe njëzëri u shprehën që secila nënë dhe grua në këtë botë dhe të gjitha familjet e viktimave, pa marrë parasysh prej nga janë, kanë të drejtë të dinë fatin e familjarëve të tyre dhe duhet të gëzojnë trajtim më të mirë në shoqëritë e tyre.


3. Konsultimet nacionale me gratë viktima të luftës

4 dhjetor 2010

Iniciativa për KOMRA-n (për krijimin e Komisionit Rajonal për gjetjen e fakteve në lidhje me krimet e luftës dhe shkeljet tjera të të drejtave të njeriut në luftërat e zhvilluara në territorin e ish-Jugosllavisë ndërmjet 1991-2001) mbajti konsultimet e para nacionale me gratë viktima të luftës më 4 dhjetor 2010 në Rahovec, Kosovë.

Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim (QHDP) nga Kosova organizoi dhe mbajti konsultimet në të cilat morën pjesë gjithsej 32 gra. Ato ishin të kombësisë shqiptare, serbe dhe rome nga fshatrat Hoça e Madhe dhe Krusha e Madhe të Komunës së Rahovecit.

F. H. nga Krusha e Madhe shprehi skepticizmin e saj në lidhje me zotimin e autoriteteve komunale në Rahovec për ti regjistruar të zhdukurit dhe viktimat tjera nga 1999. Sipas saj: “numri i përgjithshëm i viktimave në këtë komunë doli të jetë afro 900 të vdekur dhe të zhdukur përderisa vetëm në Krushë të Madhe janë 228 të vdekur dhe 68 të zhdukur”.

Derisa M. R. nga Krusha e Madhe insistoi që “vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë dhe komunikim ndërmjet të gjitha komuniteteve në komunë e më tej, si dhe përmes këmbimit të informatave për të zhdukurit të cilat do të ndihmonin në identifikimin e kryesve të këtyre veprave, familjet e viktimave do të liroheshin nga ankthi”. Ajo shpreson që vetëm themelimi i komisionit të pavarur do të sillte drejtësinë për të gjithë.

Sipas T. S.-së nga Hoça e Madhe: “themelimi i komisionit rajonal do ta shndriste dhe do ta ekspozonte të vërtetën në lidhje me burrin e saj i cili është i zhdukur që nga viti 1999”. Ajo ende shpreson për drejtësi dhe gjetjen e trupit e tij. Ajo gjithashtu dëshiron të dijë se kush e kryer atë krim dhe pse.

Gjatë zhvillimit të diskutimeve gratë shprehën nevojën e shkëmbimit të përjetimeve të tyre të ngjarjeve ndërmjet 1998 dhe 1999. Ato me etje kërkojnë gjetjen e kriminelëve të luftës. Kur moderatorët e parashtruan pyetjen se si do të reagonin ato nëse këta kriminelë do të bëheshin të njohur dhe të kapshëm, reagimet ishin të ndryshme. S. V. kërkonte që kriminelët që ja kishin kidnapuar vëllanë në 1999 të prangoseshin dhe dënoheshin në mënyrë të duhur. M. B. paraqiti disa dëshmi pozitive të ushtrisë dhe policisë Jugosllave të cilët kishin shpëtuar disa individë shqiptar gjatë luftës në Rahovec.

Në fund të takimit 27 gra që ishin prezent në konsultime nënshkruan deklaratën e anëtarësimit në Koalicionin për KOMRA-n dhe shprehën gatishmërinë që të marrin pjesë në takimet e ngjashme pa marrë parasysh nëse ato janë në nivel nacional a rajonal në kërkim të përhershëm të së vërtetës për viktimat e krimeve të luftës.


4. Takim përgatitor me gratë viktima të luftës në fshatin Krushë e Madhe

11 dhjetor 2010

Në vazhdën e hapave për ti informuar familjarët e viktimave dhe palët tjera të interesuara në shoqërinë kosovare me iniciativat e “ballafaqimit me të kaluarën” dhe për të diskutuar dhe vlerësuar nevojat, interesimet dhe pozitat e tyre në krahasim me institucionet dhe shoqërinë kosovare QHDP ka zhvilluar një takim përgatitor me 22 gra viktima të luftës nga Krusha e Madhe. Krusha e Madhe është fshati ku jetojnë gati 6000 njerëz sot, i cili gjendet në Komunën e Rahovecit dhe vendngjarja e njërës nga masakrat më të këqija që janë bërë gjatë luftës në Kosovë. Ndërmjet 25, 26 dhe 27 marsit të 1999 pjesëtarët e ushtrisë, paramilitarëve dhe policisë serbe vranë 241 civil duke përfshirë 5 gra dhe 7 fëmijë. Forcat serbe gjithashtu dogjën 793 shtëpi dhe shkatërruan pjesë të shkollës, qendrës së kulturës, monumenteve historike dhe shumicën e makinerisë bujqësore.

Gjatë diskutimeve me gratë viktima të luftës janë ngritë tri çështje: nevoja (e drejta) e tyre për ta ditur të vërtetën; reparacionet dhe mbrojtja ligjore/institucionale; dhe nëse viktimat kanë marrë kompensime të drejta dhe efektive deri më tani.

Sa i përket interesimeve të tyre, gratë viktima të luftës kërkojnë njohjen e vuajtjeve të tyre përderisa demonstrojnë interesin për ta mbështetur çfarëdo iniciative nacionale apo rajonale e cila do ta promovonte paqen, komisionet e kërkimit të së vërtetës dhe/ose reparacionet simbolike për viktimat.

Ky ishte takimi tretë i vargut të takimeve që do të organizohen në kuadër të iniciativës “ballafaqimi me të kaluarën”.