Programet

PUNA ME FAMILJARËT E VIKTIMAVE DHE PERSONAVE TË ZHDUKUR

Në të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë Ligji ndërkombëtar ka mandatuar akuzat për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Këto mandatime nënkuptojnë edhe mbrojtjen e të drejtave për qasje në të vertetën dhe drejtësi, luftimin e mosndëshkimit dhe sigurimin e dëmshpërblimit për viktimat e krimeve të luftës. Megjithatë, gjykatat që merren me këto akuza e shkelje nuk i kanë adresuar të gjitha krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë apo mënyrat e shumta se si ka ndikuar lufta tek individët dhe komunitetet. Vënia në pah e secilit aktivitet, që ne e zhvillojmë, për të drejtën tranzicionale, tregon dedikimin tonë për të përkrahur të drejtat e viktimave dhe për të kontribuar në parimet e shenjta të të drejtës tranzicionale. Korniza konceptuale, mjaft e rëndësishme, për të drejtën tranzicionale ka në thelb të drejtat e viktimave si: e drejta për të ditur, e drejta për drejtësi, e drejta për dëmshpërblim dhe e drejta për mos-përsëritje të konflikteve. Gjatë procesit të hulumtimit dhe dokumentimit të trashëgimisë së Kosovës për shkeljet e të drejtave të njeriut ne kemi veçuar të drejtën për të ditur. Ne kemi shtuar dedikimin për viktimat e luftës duke u inkuadruar edhe në aktivitete të tjera, përfshirë këtu komisionet për të vërtetën, monitorimin e të drejtave të njeriut dhe organizimin e diskutimeve rreth Ballafaqimit me të Kaluarën me grupe të grave, minoritete dhe shoqata të viktimave. Duke punuar drejtpërdrejt me këto grupe, ne kemi arritur që të informohemi dhe t’i kuptojmë më mirë nevojat dhe shqetësimet e viktimave.

 

KOALICIONI PËR KOMRA

Në vitin 2010, ne i jemi bashkangjitur Koalicionit për KOMRA, një grupim rajonal i organizatave të shoqërisë civile dhe individëve, të cilët e përkrahin propozimin për krijimin e një Komisioni Rajonal për të vërtetën. KOMRA është një iniciativë që merret me hartimin e një liste për humbjet njerëzore dhe vërtetimin e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në periudhën 1991 deri më 2001. Si një nga anëtarët e koalicionit rajonal, ne kemi qenë përgjegjës për organizimin e konsultimeve në nivel nacional, me aktorët e shoqërisë civile dhe shoqatat e viktimave nga komuna të ndryshme të Kosovës. Këto konsultime kanë lehtësuar dialogun ndëretnik dhe i kanë mundësuar publikut të kontribuojë me idetë e tij rreth asaj se si të merremi në mënyrë efektive me të kaluarën në Kosovë. Kur koalicioni për KOMRA filloi fushatën për mbledhjen e një milion nënshkrimeve, ne kemi avokuar për përkrahje dhe së bashku me organizata të tjera lokale në Kosovë kemi arritur të mbledhim më shumë se 100,000 nënshkrime nga qytetarët e Kosovës. KOMRA ka hyrë, tashmë, në një fazë të re në të cilën QHDP-ja është duke vazhduar punën me deputetë të parlamentit për të avancuar qëllimet e projektit dhe avokuar në mesin e tyre për KOMRA. Përfshirja e QHDP në Koalicionin rajonal për KOMRA tregon edhe një herë dedikimin tonë për mbledhjen dhe dokumentimin e fakteve për të kaluarën dhe vendosjen e të drejtave themelore të viktimave për drejtësi dhe të vërtetën.

 

LLOGARITJA E HUMBJEVE EKONOMIKE

Një nga prioritetet madhore të qendrës sonë është kërkimi, publikimi dhe arkivimi i të dhënave të plota për humbjet ekonomike që janë shkaktuar nga konflikti i fundit në Kosovë. Menjëherë pas luftës, ka pasur disa iniciativa për zbardhjen e fakteve rreth konfliktit të dhunshëm, por ende nuk është bërë ndonjë studim i cili do të mund t’i jepte njerëzve të kuptojnë magnitudën e plotë të dëmit. Është shumë e rëndësishme që, llogaritja e plotë e të gjitha kostove direkte dhe indirekte, të kompletohet dhe dokumentohet për nevoja historike. Puna jonë për dëmet ekonomike nuk përfshin vetëm vlerësimin e dëmit, por edhe një analizë për shkatërrimin ekonomik në dimensionet kulturore, shoqërore dhe politike. Ne do të fillojmë me vlerësimin e dëmit për humbjet e pronës, e më vonë do të hyjmë në analizimin e mënyrave se si kanë ndryshuar tregjet, të hyrat, pensionet, inflacioni dhe faktorët e tjerë ekonomikë, në ngjarjet para konfliktit, gjatë konfliktit dhe fazën e rindërtimit pas konfliktit. Studimi fillestar do të paraqesë fazën e parë, ku do të kemi një sërë projektesh kërkimore dhe hulutmuese të QHDP-së, për shkatërrimin ekonomik të Kosovës, gjatë konfliktit. Pasojat valëzuese të konfliktit të dhunshëm mund të shihen nga kënde të ndryshme, pasi ato kanë ndikuar jo vetëm në mirëqënien dhe sigurinë e sotme të qytetarëve, por edhe në mirëqënien dhe sigurinë e gjeneratave të ardhshme, të cilat mund të vuajnë nga ndikimi afatgjatë i këtyre humbjeve.

QHDP bashkë-publikon buletinin “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”, me Forumin – Shërbimi Civil për Paqe (ForumZFD), një shoqatë kjo gjermane e lëvizjes për paqe dhe organizatave tjera jofitimprurëse, si dhe individëve që punojnë për transformimin e konfliktit me mjete jo të dhunshme. Buletini Made in KS informon në lidhje me procesin e ballafaqimit dhe të mësuarit nga e kaluara në Kosovë. Buletini ka për qëllim të mbulojë iniciativa të vazhdueshme nga shoqëria: ngjarje të rëndësishme, ide të reja, dhe përvojat e të tjerëve nga zonat e tjera në rajon dhe në botë, por dhe tregimet e përvojave të njerëzve.

 

Projekti: Ballafaqimi me të kaluarën

KOMRA